Lajme

Hoxha i VV-së e quan Fevziun “korruptues e shkatërrues” pasi kritikoi Kurtin

Elvis Hoxha

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe filozofi, Elvis Hoxha, ka reaguar pas kritikave që gazetari Blendi Fevziu ia kishte drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përmes një letre për ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”.

Hoxha e ka quajtur Fevziun “korruptues i shoqërisë dhe politikës si dhe shkatërrues i kulturës kombëtare”, shkruan Shqip.com.

“Një drejtues emisioni debati që ka dhunuar hapësirat intime të shqiptarëve për 26 vite, që ka shkatërruar valën publike të transmetimeve për çerek shekulli, që ka marrë pjesë në korruptimin e shoqërisë dhe politikës shqiptare po aq sa të gjithë pushtetet e Shqipërisë së demokraturës, që ka marrë pjesë në shembjen e të gjithë kulturës kombëtare, përfshirë Teatrin  Kombëtar, po i shkruan letër të hapur Albin Kurtit, i cili çerek shekulli ka bërë rezistencë me burg e demonstrate”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Në fund ai tha se letrën e cilëson si “paturpësi të hapur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe gazetari Blendi Fevziu

Gazetari, Blendi Fevziu së fundmi ka vizituar ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” në Prishtinë.

Ekspozita është krijuar në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-2000, ku 1024 fëmijë janë gjetur të vrarë dhe 109 fëmijë të zhdukur.

Ajo gjendet në bodrumet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, që prej 13 Majit të 2019-ës.

Gazetari i ka bërë një apel publik Kurtit, për krijimin e një muzeu të genocidit në Kosovë, ashtu siç gjendet në Ruanda, në Poloni e në Gjermani.

Ndër tjerash, Fevziu i ka bërë apel Kurtit, që të ndërtojë një muze në shenjë nderimi për fëmijët e vrarë e të mos fshehen kujtimet në bodrume.

“I nderuar zoti Kryeministër. Nxirrini kujtimet e atyre 1133 fëmijëve të rënë në luftë nga ai bodrum. Vendosini sendet e tyre të fundit aty ku ju takojnë. Në vendin më të dukshëm të shtetit tuaj të ri; në vendin prej nga nis historia e tyre. Histori që ka në thelb të saj sakrificën e tyre të paçmueshme. Unë e kuptoj që lufta dhe protagonistët e saj trazojnë edhe zhvillimet politike të sotme. Por këta fëmijë nuk kanë lidhje me asgjë. Ata nuk lënduan askend e sot nuk po kërkojnë asgjë. Veç pak dritë dielli që ju takon edhe pse s’janë më në këtë botë”, kishte shkruar Fevziu në Facebook./Shqip.com