Hoti përkthen “Ekonomiksi”-n e nobelistëve: Librin ua dedikoj prindërve të mi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se libri “Ekonomiksi” i nobelistëve Paul Samuelson dhe William Nordhause, i përkthyer nga ai, do të jetë shumë shpejt i botuar në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se pret me padurim që në vjeshtë t’u ligjërojë studentëve lëndën e ekonomiksit me librin e ri, i cili, sipas tij, përdoret në universitetet më të njohura ndërkombëtare.
“Nga shtatori 2022, libri do të jetë në dispozicion të studentëve të të gjitha drejtimeve të shkencave ekonomike, si dhe të atyre nga shkencat e tjera që duhet të kryejnë kurse nga ekonomiksi. Libri është tepër i dobishëm edhe për ata që duan të mësojnë si funksionon tregu modern kombëtar dhe global”, ka shkruar Hoti.
Ai gjithashtu ka thënë se librin e botuar ua dedikon prindërve të tij./Shqip.com
