Hoti kundër udhërrëfyesit të ri për liberalizimin e vizave, akuzon komisioneri Varhelyi

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kundërshtuar propozimin e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili të hënën ka thënë se duhet një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, në procesin e liberalizimit të vizave.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimet e dy vendeve të BE-së për të mos liberalizuar vizat për kosovarët, qëndrime të cilat janë krejtësisht rezultat i dinamikës së tyre të brendshme politike, nuk duhet lejuar të ngritën në nivel të çfarëdo udhërrëfyesi të ri për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që nga marsi i viti 2018 dhe meriton t’i liberalizohen vizat”, ka thënë Hoti.
Ai gjithashtu ka treguar se për të bindur Francën në vitin 2020 është ngritur grupi punues i Ministrive të Brendshme respektive për të vënë në dispozicion të institucioneve franceze informatat e nevojshme për vendimmarrje pozitive.
“Ky grup punues është vendosur të formohet në takimin që kemi pasur me Presidentin Macron në korrik 2020, duke ndjekur shembullin e mirë të Qeverisë Haradinaj me Gjermaninë në vitin 2019”, ka shkruar ai.
Hoti ndër të tjera ka shkruar se ky grup e ka kryer punën e vetë dhe tani duhet pritur vendimi pozitiv, sepse nuk ka më asnjë kusht që duhet të plotësohet nga Kosova./Shqip.com