Hoti akuzon Nurbojën për kapje të BQK-së

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka vendosur të mërkurën që kryetari i këtij bordi, Bashkim Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guvernatorit.
E për këtë vendim ka reaguar deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, i cili ka listuar tre hapat se si erdhi Nurboja në krye të BQK’së.
“1. Zgjedhja e Zëvendësguvernatorit u bojkotua gjatë tërë vitit 2022. Si rezultat, BQK mbeti pa Zëvendësguvernator, i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit.
2. Procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim.
3. Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe, Bashkim Nurboja, kryetar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, e ka marrë përkohësisht postin e guvernatorit të kësaj banke.
Ky vendim është marrë nga Bordi i BQK-së, për shkak të pamundësisë për ta zgjedhur gurvenatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe në mungesë të zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë.
Po ashtu, dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së, do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve.
/Shqip.com