Lajme

Hetimi për kompleksin “Partizani”/ GJKKO rrëzon kërkesat e Berishës dhe Malltezit, gjyqtarja Irena Gjoka nuk përjashtohet

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Berisha do të vijojë të hetohet nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë shtetit’, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Vendimet u morën sot nga gjyqtarja Irena Gjoka e cila rrëzoi kërkesat e avokatëve për shuarjen e masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre më 20 tetor 2023

Kërkesat u shqyrtuan në seanca të veçanta që u mbajtën me dyer të mbyllura sot në GJKKO.

Avokatët e ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan shuarjen e masave për Sali Berishën pasi sipas tyre, mos-ekzekutimi i vendimit brenda 48 orëve ka sjellë rënien e tij. Gjithashtu ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tyre është shkarkuar në vitin 1996 në një kohë kur KLD-ja drejtohej nga Berisha në cilësinë e presidentit të kohës.

Gjithashtu gjyqtarja Irena Gjoka rrëzoi dhe ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për Malltezin.

Ndërsa gjyqtarja e gatshme në GJKKO, Rudina Palloi rrëzoi dy kërkesat e Berishës dhe Malltezit për përjashtimi e gjyqtares Gjoka.

Në vendimin e datës 26 tetor 2023 që konfirmoi masat ndaj Sali Berishës, thuhet se ai vetë dhe familjarët e tij, kanë mundësuar shmangien e personit në hetim nga marrja dijeni për vendimin. Oficerët kanë shkuar në selinë e rithemelimit dhe në banesën e Berishës disa herë por ai nuk ka pranuar ti takojë me pretendimin se vendimi ishte antikushtetues.

Ndërkohë Sali Berisha në një konferencë për median akuzoi sot prokurorët e dosjes Arben Kraja dhe Enekeleda Millonai se ishin në konflikt të hapur interesi dhe se po hakmerren ndaj tij.

/Shqip.com