Lajme

Hetimi nga SPAK, Berisha: Po mbroj PD-në nga një proces i shëmtuar politik

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh sot se nuk është duke e dëmtuar PD-në, pasi po e mbron në një proces i cili është i montuar politikisht ndaj tij.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha tha se opozita po përballet me një persekutim politik të paimagjinueshëm.

Si mund ta dëmtoj unë PD-në, kur po e mbroj atë kundër një procesi të shëmtuar politik kundër programit të saj? Si mund ta dëmtoj unë? Përkundrazi, PD është e do mbetet trashëgimtare dhe krenare e këtyre reformave që ndryshuan Shqipërinë më shumë se të gjitha të tjerat.

Nuk kam personale unë këtu, unë kam këtu gjithçka parimore, programe, e cila përballet me një persekutim politik të paimagjinueshëm. Tani të thuash ti se unë letrat me vlerë i paskam futur në përdorim për dhëndrin tim, po nuk ka marrëzi si kjo. Po letrat me vlerë kanë nisur të përdoren në vitin 1995 dhe ato gjer në fund përbëjnë mbi 300 milionë euro që qytetarët kanë përfituar dhe janë pak. Ne shpërndamë letra me vlerë te 1.3 milionë shqiptarë“, u shpreh Berisha.

Duke u ndalur te masa e caktuar nga GJKKO, Berisha u shpreh se Kushtetuta është e kthjellët si kristali, pasi nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit në asnjë lloj forme, pa aprovimin e parlamentit.

Kushtetuta është e kthjellët si kristali. Nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit në asnjë lloj forme, pa aprovimin e parlamentit. Nuk lejon. Neni i kodit penal është në favor të kufizimit, por duhet të pasqyrohet në Kushtetutë. Po nuk u pasqyrua në Kushtetutë, merr fund hierarkia e ligjeve.

Ai nen, hajde të votojmë që nesër ta fusim në Kushtetutë. Është pak a shumë amendamenti që kam çuar unë. Por gjykatësi, prokurori po të mos jetë zuzar siç janë, respekton Kushtetutën. Dhe i thotë Edi Ramës, unë këtë nuk e bëj dot se nuk më lejon Kushtetuta. Hajde ta sjell në parlament, hiqe dhe ma sill“, tha Berisha.

/Shqip.com