Lajme

Hetimet për Evis Berberin çojnë SPAK-un te tuneli i Llogorasë, verifikon tenderin për mbikëqyrjen e punimeve!

Hetimet ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Evis Berberi, e kanë çuar Prokurorinë e Posaçme drejt Tunelit të Llogorasë.

SPAK po kalon në sitë një kontratë të fituar nga kompania e ish-ortakut të tij në biznes, Valter Begaj, për mbikëqyrjen e punimeve të një prej veprave më të rëndësishme në bregun e jugut.

Si Berberi ashtu dhe Begaj u arrestuan marsin e vitit të kaluar, dhe janë nën hetim të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Ajo çka i lidh të dy me Tunelin e Llogorasë, është shoqëria “Net Group” e zotëruar nga Begaj, e ku vetë Berberi kishte qenë më parë i punësuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo kompani është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.

Kompania “Net Group”, fitoi me një ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro, garën për mbikëqyrjen, si bashkim operatorësh me kompaninë tjetër “Hill International NV”.

Kontrata me Ministrinë e Infrastrukturës u lidh më 16 maj të vitit 2022. Në atë kohë Berberi ishte Drejtori i Autoritetit Rrugor, institucion në varësi të kësaj ministrie.

/Shqip.com