Haxhiu për prokuroren e rastit dhe mbrojtësen e viktimave: Asnjëra nuk i ka kryer detyrat, duhet të merren masa urgjente

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sërish rreth vrasjes së një gruaje në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Haxhiu ka drejtuar kritika ndaj prokurores kujdestare pasi kjo e fundit, sipas informatave zyrtare të ministres, ka kërkuar që rasti të cilësohet si “Dhunë në Familje”, dhe që të procedohet në procedurë të rregullt.
“Prokurorja e rastit ka kërkuar që rasti të kualifikohet si “Dhunë në Familje” por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ndërkaq, për mbrojtësen e viktimave thotë se kjo e fundit ka kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici.
“Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici”.
Ajo shtoi se dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e viktimës, asnjëra nuk i ka kryer detyrat, e që sipas kësaj, kërkon që duhet të merren masa urgjente./Shqip.com