Lajme

Haxhiu: LVV e vazhdoi degradimin e shëndetësisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Lidhur me riemërimin e Arben Vitisë si ministër i Ministrisë së Shëndetësisë ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, tha se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon degradimin e shëndetësisë.

“Me riemërimin e Arben Vitisë, LVV vazhdoi degradimin e shëndetësisë duke e vendosur pozitën e ministrit të shëndetësisë në pazar dhe interes të sektorit privat. Pyetja që i duhet bërë sot Albin Kurtit është se, a ka dhënë ende dorëheqje nga Komision Ekzekutiv për Shëndetësi, a është më mirë pa ministër apo me një ministër të dështuar me konflikt të supozuar të interesit?  Albin Kurti duhet të jap përgjegjësi dhe të tregoj se përse që tre muaj nuk është emëruar Ministri i Shëndetësisë, apo ka pritur derisa Arben Vitia të përfundoj barazimet me sektorin privat?!”, shkroi Haxhiu.

Sipas Haxhiut, Arben Vitia dyshohet për konflikt të interesit pasi sipas tij është menaxher në një laborator privat.

“Duke ditur se Arben Vitia nga pozita e ministrit të shëndetësisë, shkoj menaxher në laboratorin Olive e tani sërish është rikthyer në ministër, dyshohet për konflikt të interesit. Pas Raportit të Auditorit për vitin 2021 ku ishin gjetur afro 12 milion euro keqpërdorime në shëndetësi në kohen sa ky dikaster udhëhiqej nga Arben Vitia, riemërimi i Arben Vitisë është lajm i keq për shëndetësinë tone”.

Arben Vitia nga sot do të jetë sërish ministër i Ministrisë së Shëndetësisë

Emërimi i Vitisë u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kujtojmë se që nga 6 tetori, sektori më i rëndësishëm në vend kishte mbetur pa udhëheqje.

Vitia ishte ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 2, por dorëheqja e tij erdhi me 1 tetor të vitit 2021 për ta vazhduar kandidaturën për të parin e Prishtinës.

Ndonëse, Vitia humbi zgjedhjet në Prishtinë, pozita e ministrit të shëndetësisë, sot iu kthye.

/Shqip.com