Haxhiu: Lajm jashtëzakonisht i mirë sanksionimi i grupeve kriminale në veri nga SHBA

Lajm jashtëzakonisht të mirë e ka quajtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sanksionimin e grupeve kriminale në veri të vendit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu deklaroi se grupet e tilla kriminale “nuk e kanë pasur mbështetjen vetëm nga Beogradi por edhe nga Prishtina”.
Tutje, Haxhiu hedhi edhe akuza ndaj institucioneve pasi që “hera herës pritesshin edhe në zyret e institucioneve më të larta”.
“Lajm jashtëzakonisht i mirë saksionimi i grupeve të krimit të organizuar në veri të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq. E kemi theksuar që moti se veriu është i tillë jo për shkak të banorëve, por sepse është kontrolluar nga grupe të tilla kriminale që nuk kanë pasur vetëm mbështetjen e Beogradit, por edhe të Prishtinës.
Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës”, shkroi ndër tjerash ajo.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.
Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.
Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.
Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com