Haxhiu kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e Arben Vitisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që Arben Vitia të dorëhiqet nga pozita e ministrit të Shëndetësisë apo të shkarkohet nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo për shkak që, sipas Haxhiut, “MSH ka dështuar në procesin e vaksinimit”.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria kishte premtuar 500 mijë vaksinime brenda muajit, por këto nuk i ka arritur as për katër muaj e gjysmë”.
“Nga fillimi i procesit të vaksinimit me 29.03.2021 e deri me sot në total janë bërë 478.084, apo mesatarish janë bërë 3.622 vaksinime në ditë, që është shumë pak”, ka shkruar Haxhiu.
Po ashtu deputeti, akuzoi Vitinë që e ka klasifikuar kontratën me Pfizer si “sekrete”.
“Për dështim të programit të vaksinimit, për dështim të vaksinimit masiv, ministri i shëndetësisë Arben Vitia do të duhej të jap llogari dhe të dorëhiqet”, mendon Haxhiu.
Të shtunën është raportuar që janë dhënë edhe 9.590 vaksina. /Shqip.com