Haxhiu ankohet në Komisionin që ktheu 3 punëtorët që kishin çelësat e mostrave të Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e Komisionit të Ankesave, i cili ka kthyer në punë 3 persona që kishin në përgjegjësi çelësat e depos ku mbaheshin provat e rastit “Dehari”.
“Komisioni disiplinor mori vendim për suspendimin e 4, e më pas 3 punëtorëve, por ata janë kthyer në punë nga Komisioni i Ankesave sepse të tre punëtorët që kanë pas çelësin ku ruhen mostrat, nuk janë të dyshuar nga gjykata. Unë s’jam pajtuar me vendimin e Komisionit të Ankesave, por këto komisione s’janë nën menaxhimin tonë, janë shërbyes civil. Rasti ‘Dehari’ dhe i vjedhjes së mostrave, është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se ministria që e drejton ka dërguar dokumente të mjaftueshme, përfshirë edhe dy raportet e institutit zviceran dhe për shkeljet e zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, por është ankuar se nuk ka vullnet nga gjykatat për zbulimin e rastit.
Ministrja Haxhiu ka rikonfirmuar se është marrë në pyetje më datë 18 janar rreth zhdukjes së mostrave, ndërsa ka thënë të mos ketë marrë ndonjë ftesë tjerë për paraqitje në gjykatë.
/Shqip.com