Lajme

Haradinaj tregon se çka i kërkoi Ramës në takim

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj gjatë takimit në Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që të finalizohet hekurudha Prishtinë – Durrës, njofton Shqip.com.

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj gjatë takimit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se ky është një projekt i rëndësishëm për forcimin e sigurisë në rajon dhe integrimin në NATO.

Tutje, ai tha se kanë diskutuar edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veriun e vendit, teksa shtoi se “bashkëpunimi vëllezëror ndërmjet dy vendeve tona është jetik për zhvillimin e gjithëmbarshëm”.

“Po ashtu, diskutuam për gjendjen e sigurisë në Kosovë me theks të veçantë në veriun e vendit. Bashkëpunimi vëllezëror ndërmjet dy vendeve tona është jetik për zhvillimin e gjithëmbarshëm.

Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë duhet të bëjnë të pamundurën që të heqin të gjitha barrierat që vështirësojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e posaçërisht në atë ekonomike”, shkroi ndër tjerash ai.

Po ashtu, Haradinaj pas takimit, në një deklarim për media, tha se nuk mundën të bisedojnë për “Ballkanin e Hapur”, por që tha se e mbështet këtë ide vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Unë e pëlqej idenë e ‘Ballkanit të hapur’, e mirëpres por vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në kohën sa ishte kryeministër, Haradinaj kishte deklaruar se Rama i kishte bërë presion për heqjen e tarifës së mallrave ndaj Serbisë më shumë se Franca e Gjermania.

Për këto deklarata, Rama e kishte paditur për “shpifje” Haradinajn, por që më pas ai e kishte tërhequr padinë.

Gjatë vizitës së tij, Rama ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe krerët e partive tjera politike.

Pas takimit me Kurtin, në një konferencë të përbashkët, Rama ka deklaruar se pas vendosjes së bllokadave në veri të vendit, të gjithë janë dëshmitar të “manovrave teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”.

Lexo edhe:
Rama për reciprocitetin: “Fantazma gjeneralësh” po pretendojnë integritet për serbët e veriut, Kosova ka të drejtë dhe pikë

Tutje, ai i cilësoi “fantazma gjeneralësh”, ata që po pretendojnë se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë me vendosjen e ushtrisë në Kufi me Kosovën.

Ndryshe, sot janë bërë tetë ditë që kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, për të zbatuar reciprocitetin me target e veturave.

Njësia Speciale e Kosovës në veri.

Për këtë, serbët që jetojnë në ato komuna, si shenjë revolte kanë bllokuar rrugët që çojnë në këto pika kufitare, duke mos lejuark ështu të kalojë asnjë veturë.

Lexo edhe:
Kurti tregon nëse KFOR-i do të ndërhy në veri

Po ashtu, gjatë dy ditëve të fundit janë parë aeroplanët ushtarak serbë duke patrulluar mbi kufirin Kosovë – Serbi.

Të shtunën është sulmuar Qendra e Regjistsimit të Automjeteve me granata dore, duke shkaktuar kështu përhapjen e zjarrit./Shqip.com