Haradinaj: Të gjitha institucionet e sigurisë të bëhen bashkë, KFOR-i ta ftojë FSK-në për patrullime

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se zgjidhja për të mbajtur situatën në kontroll është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Haradinaj ka propozuar që KFOR ta angazhojë FSK-në në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Ftesa për Kosovën në NATO, anëtarësimi i menjëhershëm dhe i plotë është zgjidhja. KFOR ta angazhojë FSK-në në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Të gjitha institucionet e sigurisë të bashkohen për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrolli, si në aspektin politik, të sigurisë dhe në ekonomi”, tha ai.
Sipas Haradinajt, nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO e dëshmon lufta e Rusisë në Ukrainë.
“Kosova në NATO, është zgjidhja tani! Agresioni rus ndaj Ukrainës e konfirmon këtë”.
Deklarata e sotme e Haradinajt nuk dihet nëse ndërlidhet me deklaratën e presidentit ukrainas Zelensky, i cili tha se ka informacione që Rusia ka synime për luftë në Ballkan. Edhe BE dje tha se ndan shqetësimin e njëjtë me Zelenskyn për synimet destabilizuese të Rusisë në Ballkan.
“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
/Shqip.com