Haradinaj përshëndet vendimin për shpalljen “non grata” të zyrtarëve rusë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t’i shpallur persona “non grata” – të padëshiruar dy zyrtarë rusë dhe për t’i dëbuar nga Kosova.
Sipas Haradinajt, askush që ushtron aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës, “nuk është i dëshiruar në vendin tonë”.
“Në këtë frymë, mbështes kërkesën e Presidentes Osmani dhe vendimin e MPJD për shpalljen persona të padëshiruar dhe dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova”.
“Secili që tejkalon rregullat e qëndrimit në vendin tonë, duhet të trajtohet sipas ligjit. Ndikimi rus në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duhet të luftohet me vendosmërinë më të madhe nga institucionet tona.”, ka shkruar i pari i AAK-së në profilin e tij në Facebook.
Dy zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë janë shpallur persona të padëshirueshëm në Kosovë me kërkesën e presidentes Vjosa Osmani. Sipas kësaj të fundit, aktiviteti i këtyre personave është i dëmshëm dhe ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës./SHQIP.com