Lajme

Haradinaj: Nuk është koha të flitet kush është veteran i vërtetë e kush jo

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri dhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, thotë se tani nuk është koha të flitet se kush është veteran i vërtetë i luftës e kush jo.

Haradinaj e quan “ofendim” rishikimin e listës së veteranëve.

“Nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë, me e fillu edhe njëherë me i fillu diskutimet se kush është veteran i vërtetë, apo jo; kush është luftëtar i vërtetë apo jo. Nuk është koha e tillë. Ka pasur edhe një proces gjyqësor. Tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, ka thënë Haradinaj.

Deputeti i AAK-së foli edhe për masakrat dhe të vrarët shqiptarë në luftën e Kosovës.

“Sot, edhe Qeveria, edhe institucionet e vendit, edhe të gjithë ne, kur iu dalim përballë fëmijëve, të vejave, nënave, familjarëve të rënë për liri, të gjithë atyre që u mungojnë të dashurit e vet, po edhe gjithë atyre që bartin plagët e luftës, atëherë ata meritojnë një lajm të mirë nga ne. Ata nuk e kanë lajmin e vetëm të mirë që e presin nga ne, që t’u rritën pensionet”, ka thënë Haradinaj.

Lexo edhe:
Klinaku i OVL-UÇK-së: Nuk pastrohet lista pa komandant

Theksojmë se kryeministri Albin Kurti, ka thënë në transmetuesin publik se listat e veteranëve të luftës janë të fryra.

“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë , po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari./Shqip.com