Haradinaj në Studime: Plagët e popullit s’mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet
Publikuar:
(02.05.2023 10:35:21)

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar të rënët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë në 24-vjetorin e saj.
Ai ka thënë se plagët e popullit nuk mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet.
“Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj shtoi se nuk do të ndalen derisa autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.
“Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
/Shqip.com