Haradinaj: Mërgata jonë ndërlidhet me mbijetesën e popullit të Kosovës

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mërgata e Kosova është e ndërlidhur me mbijetesën e popullit të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Haradinaj gjatë një takimi me mërgimtarë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
“Mërgata jonë ndërlidhet me mbijetesën e popullit të Kosovës në kohë të vështira dhe vazhdon të jetë forcë e atdheut. Sot, mërgata jonë është bërë shembull i punës dhe përkushtimit kudo që ata jetojnë, sikurse këtu në Gjermani të cilët me suksesin e tyre në biznes, shkencë, sport e kulturë po nderojnë gjithë kombin”.
Sipas Haradinajt, bashkatdhetarët tanë kanë një adresë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mbështetja masovike e mërgatës për Aleancën, u vërtetua edhe sot në Nürnberg, në Kuvendin Zgjedhor për rajonin e Bavarisë, ku ishim bashkë me deputeten Time Kadrijaj, kryetarin e komunës së Suharekës Bali Muharremaj, kryetarin e komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me Blerim Kuqin e shumë kolegë e miq të tjerë”.
Shpagimi më i mirë për kontributin e tyre të çmueshëm është ndërtimi i një Kosove të fortë politikisht dhe ekonomikisht, që fuqizon kështu edhe njerëzit e saj kudo në botë, ka shtuar më tutje Haradinaj.
Po ashtu është bërë e ditur se Selim Hoti, është zgjedhur kryetar i AAK-së për rajonin e Bavarisë në Gjermani.
/Shqip.com