Haradinaj liston dështimet e Qeverisë Kurti II në 1 vjetorin e saj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka listuar 11 dështime të cilat i atribuon Qeverisë Kurti II në 1 vjetorin e punës së saj.
Sipas këtij subjekti opozitar tre dështimet më të mëdha janë: Dështimi i miratimit të ligjit të pagave. Dështimi në fushën e energjisë përkatësisht refuzimi i Qeverisë për gazjellësin amerikan dhe refuzimi për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike si dhe keqpërdorimi i bordeve dhe institucioneve të tjera të pavarura.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Qeveria Kurti II ka menaxhuar shumë dobët me pandeminë e cila ka pasur efekte negative në ekonomitë familjare.
“Në muajt e parë shkalla tejet e ulët e vaksinimit të popullsisë. Mbyllja pa kriter e gastronomisë. Mbajtja e orës policore përtej çdo kriteri dhe arsyeje. Paketat e ndihmës ekonomike në kohën e pandemisë, pa asnjë efekt në rehabilitim të pasojave të saj” ka thënë Haradinaj.
Ka akuzuar Qeverinë se është duke tentuar të shtrijë ndikimin e saj edhe në sistemin e drejtësisë duke intervenuar edhe në ligjet aktuale. Haradinaj thotë se modelet e tilla nuk janë praktikë e vendeve të BE-së.
“Tendenca në rritje për të vendosur kontroll në mënyrën e përzgjedhjes së kryeprokurorit. Me ligjin aktual kryeprokurori zgjedhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Tendenca e kryeministrit është që t’i mbivotojë anëtarët e këtij këshilli, duke zvogëluar numrin e tyre nga 13 sa janë aktualisht në 7, e të tjerët t’i marrë sipas modelit të tij, laikë, nga Avokati i Popullit apo Kuvendi. Model që nuk e kanë as vendet e rajonit e as të BE”, ka potencuar ai./Shqip.com