Haradinaj: Kurti të japë dorëheqje qysh sot

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale.
Haradinaj, thotë se populli i Kosovës që është më properëndimor i kontinentit, sipas tij, duhet të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet.
Ai e ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa”, shkroi Haradinaj.
“Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike”.
“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka shkruar Haradinaj.
/Shqip.com