Lajme

Haradinaj: Kurti ka marrë mision për shkatërrimin e shtetit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Raamush Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë mision për shkatërrimin e shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kurti ka vendosur që ta shkatërrojë edhe sistemin e drejtësisë.

“Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara. Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ftoi Kurtin që t’i kthej pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në nivelin siç kanë qenë.

“Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia”.

Qeveria merr vendim për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve – SHQIP.com

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që pagat e gjyqtarëve dhe prokuroreve të ndryshohen.

Sipas kryeministrit, Albin Kurti pagat e zyrtarëve të sistemit gjyqësor do të bëhen në lartësinë e rregullimit juridik të vitit 2017, para vendimit për ndryshimin e pagave të kabinetit qeveritar.

“Rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri, plotësojmë, ndryshojmë vendimin 01/02 të datës 12 shkurt të vitit 2020 duke shfuqizuar nenet relevante të çështjes së diskutuar. Me këtë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, kthehen në lartësi e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritje e pagave të kabinetit qeveritar”, tha Kurti.

Kurti tha se ky vendim ishte marrë në mënyrë joligjore dhe në konflikt interesi nga Qeveria e kaluar.

“Vendimi i marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi i Qeverisë së kaluar në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e Qeverisë me datën 12 shkurt 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Marrë parasysh që ishte në procedurë nga Gjykata Kushtetuese Ligji për Pagat”.

Kujtojmë, se ndryshimi i pagave për kabinetin qeveritar ishte bërë në vitin 2017 nga Qeveria nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt.

/Shqip.com