Lajme

Haradinaj: Kosova nuk dobësohet vetëm nga bandat në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në Qeveri

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në Qeveri.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me seriozitet.

“Afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet. Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në qeveri. Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se nëse është Qeveria duhet të votohet ligji për forcimin e Policisë, sigurimi shëndëtësor e pensional.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

“Zbatimi i rendit dhe ligjit është i pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë. Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjin për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s’je qeveri, do të shihet me 31 gusht”

Kujtojmë se në veri të vendit barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

 Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com