Lajme

Haradinaj kërkon sqarime nga qeveria për marrëveshjen e targave

Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës për marrëveshjen e nënshkruar me palën serbe në Bruksel lidhur me targat e veturave.

Sipas tij, qeveria duhet që menjëherë ta publikojë tekstin integral të kësaj marrëveshje.

Lexo edhe:
Lajçak: Kemi marrëveshje në Bruksel

Ka gjetur disa pika të cilat i ka konsideruar të dëmshme për Kosovën.

“Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj

Ka shtuar se AAK-ja është e indinjuar me “barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri”.

“Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje për sovranitetin e Kosovës!”.

Po ashtu, “pajtimi që KFOR-i të marrë nën kontroll ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën”.

Lexo edhe:
“Specialët i dërgojmë prapë në Veri, sa herë që ka nevojë”

Në fund, ka thënë se kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe sipas tij, duhet që urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës.

“Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!”.

Ndryshe, mesditën e së enjtes, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se mes dy palëve është arritur një marrëveshje për targat e veturave.

Në një postim në Twitter, Lajçak theksoi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja për deeskalimin e situatës, teksa ka falënderuar dy kryenegociatorët “për gatishmërinë e treguar”./SHQIP.com