Haliti për ftesat e Kurtit ndaj opozitës: Si n’kohën e UDB-së, me tri vija të kuqe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javë më parë u kishte dërguar ftesa liderëve të partive opozitare për një takim, ku mes tjerash do të diskutohej për zhvillimet e fundit politike në lidhje me dialogun dhe marrëveshjen finale me Serbinë.
Kujtojmë se i vetmi që iu kishte përgjigjur pozitivisht ftesës ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Për Shqip.com, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se ftesa është bërë në mënyrë të gabuar, e për më tepër i quan edhe provokim.
“Kurti i ka bërë ftesat sikur UDB-ja asaj kohe me tri vija të kuqe. Këtyre varianteve opozita nuk u përgjigjet dhe ajo ftesë ishte vetëm një provokim”, thotë Haliti.
Sipas tij, uniteti politik karshi temave të rëndësishme është nevojë e kohës, por jo në mënyren se si bëhet nga Kurti sepse caktimi i kohës pa u konsultuar paraprakisht është diçka që vetëm sa e acaron raportin me opozitën.
Xhavit Haliti thekson se duhet të organizohet një tryezë e përbashkët për të diskutuar çështjet me rëndësi që janë në interes të Kosovës.
“Unë jam pro bashkëpunimit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interesin e shtetit të Kosovës. Problemi është se nuk jemi ftuar mirë nga Kurti. Ne nuk jemi armiq, por kundërshtar politik. Në këtë rast do duhet të bëhej një tryezë e përbashkët për të diskutuar çështjet së bashku dhe për të marrë qëndrime që tregojnë unitet”, tha Haliti për Shqip.com
Kurse sa i përket informacioneve të fundit se Serbia është duke e mobilizuar ushtrinë, Haliti thotë se është e drejtë e tyre të organizojnë ushtrinë brenda territorit të tyre.
“Kosova nuk është e rrezikuar nga luftërat. Serbia e ka të drejtën që të organizojë ushtrinë ashtu si ata e mendojnë dhe vlerësojnë. Nuk është provokim nëse nuk ka mësyjme në drejtim të Kosovës. Por është evidente që ata duan të fusin frikë dhe ne nuk duhet të bëhemi pre e këtij provokimi”, shton Haliti.
Tutje, deputeti i PDK-së mendon se çështja e targave nuk duhet të jetë prioritet sepse nuk është urgjente dhe e domosdoshme.
“Marrëveshja e Brukselit është shkelur. Çështja e targave është qesharake, nuk është cështje që duhet kryer brenda një muaji. Problemi tjetër është që SHBA-të dhe Britania e Madhe kanë kërkuar që të shtyhet procesi dhe marrëveshja nuk është respektuar as nga Kosova e as nga Serbia. Targat nuk duhet të bëhen cështje e parë në vendin tonë”, thekson deputeti Haliti.
Sipas tij Kosova duhet të punojë që të ndërtojë raporte të mira me serbët që jetojnë këtu, duke e rritur besueshmërinë e të mos kenë frikë.
Nga ana tjetër ai përmend faktin se banorët serb po shfrytëzohen e përdorën nga Vuçiq që të krijohet një pasiguri në Kosovë.
/Shqip.com