Lajme

Hajdari tha se nuk ndjehet fajtore për rastin ku goditi një fëmijë me makinë

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin që shkaktoi duke e goditur një fëmijë me veturë.

Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi, Hajdari ka thënë se ka qenë brenda rregullave të komunikacionit dhe lidhur me këtë rast ka keqardhje dhe ndjeshmëri për vajzën që goditi.

“Derisa unë kam qenë me vëmendje të lartë në shpejtësi për shkak se e vozis motrën me nevoja të veçanta, e cila është shumë e ndjeshme dhe derisa kam qenë brenda rregullave të komunikacionit, përkundër keqardhjes, ndjeshmërisë për vajzën, nuk ndihem fajtore për këtë rast” ka deklaruar Hajdari.

Me datën 10 prill të këtij viti, Hajdari tha se ka qenë duke u kthyer nga parku së bashku me motrën me nevoja të veçanta në lagjen ku banon kishte vërejtur dy fëmijë teksa vraponin dhe njëri prej tyre ishte përplasur në makinën e saj.

Hajdari kishte deklaruar se ka qenë duke vozitur veturën në përputhje me rregullat e komunikacionit kur edhe ka ndodhur rasti për të cilin ka thënë se e kishte përjetuar rëndë.

Lidhur me këtë rast, ministrja kishte thënë se është keqtrajtuar edhe nga mediat ndërsa, konkludimet e policëve I ka cilësuar si joprofesionale.

Ndërsa, përfaqësuesi i saj, avokati Shemdi Bunjaku tha se lidhur me mospërshtatjen e shpejtësisë në shkresat e lëndës të cilat i posedojnë, nuk kanë ndonjë shkresë e cila me saktësi e vërteton se Hajdari nuk iu ka përshtatur kushteve dhe rregullave të komunikacionit.

Andaj, i njëjti propozoi që të caktohet ekspertizë e komunikacionit për të vërtetuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti kërkoi nxjerrjen e ekspertizës së komunikacionit, si dhe propozoi që të bëhet edhe dëgjimi i përfaqësueses së të dëmtuarës dhe dëgjimi i Dr. Musa Gashit, për të sqaruar konstatimet e tij në ekspertizë mjeko-ligjore.

I njëjti propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen zyrtari policor Naim Sadiku dhe personi që kishte qenë prezent tek hyrja e marketit “Meridian”, Labinot Yberdemaj si dhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të bëhet edhe shikimi i videos nga kamerat e këtij marketi.

Propozimin për dëgjimin e zyrtarit Sadiku në cilësi të dëshmitarit, e kundërshtoi avokati Bunjaku, i cili tha se ai nuk kishte qenë i pranishëm në momentin kritik në vendin e ngjarjes dhe se nuk e sheh të nevojshme dhe që i ndihmon kësaj çështjeje.

Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Valbonë Gjonbalaj aprovoi propozimin e palëve në procedurë për caktimin e ekspertizës së komunikacionit, duke e caktuar për ekspert Bajram Latifin.

E njëjta aprovoi propozimin e avokatit Shefqeti për dëgjimin e ekspertit mjeko-ligjor Dr. Musa Gashi për sqarimin rreth mendimit të dhënë mbi natyrën e lëndimeve të palës së dëmtuar.

Ndërsa, lidhur me propozimin për dëgjimin e Sadikut dhe Yberdemajt, gjykatësja tha se do të vendoset në seancën e radhës.

Kurse, lidhur me sigurimin e faqes së procesverbalit të kërkuar nga pala e dëmtuar, e njëjta tha se ka mundur të ishte gabim teknik, andaj i njëjti do iu sigurohet në tërësi me përfundimin e seancës.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 4 nëntor 2022.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Pas përfundimit të seancës, ministrja Hajdari ka refuzuar të japë një prononcim lidhur me rastin, ashtu sikurse mbrojtësi i tij, avokati Shemdi Bunjaku.

/Shqip.com