Lajme

Hajdari: Shitja nga shitësit me pakicë në një marzhë të lartë tregtare është anti-kushtetuese

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet lidhur me rritjen e çmimit të produkteve bazë në vendin tonë.

Lidhur më këtë temë, Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari është shprehur se tashmë Qeveria vetëm se ka filluar punën lidhur sa i përket rritjes së çmimit të produkteve.

“Qeveria veçse ka filluar me adresimin e çështjes së rritjes së çmimeve. Përpos inspektimeve të shpeshta, në gjetjet dhe shkeljet e tjera në kemi themeluar edhe Grupin Punues. Bazuar në këtë ne kemi analizuar rritjen e çmimeve në treg dhe kemi vërejtur rritje në produktet e konsumit”, është shprehur Hajdari.

Po ashtu Hajdari është shprehur se Shitja nga shitësit me pakicë në një marzhë të lartë tregtare është anti-kushtetuese.

“Ne kemi analizuar situatën e rritjes së çmimeve në bazë të marzhës tregtare. Kemi analizuar, grurin, miellin, vajin, kripën, vezët, mishin e pulës, sapunin, pecetat dhe letrën higjenike. Ne kemi kalkuluar çmimet e blerjes me pakicë dhe shumicë. Kemi çmime që shkojnë deri në marzhë deri në 42% për vezët. A ësht kjo kushtetuese? A duhet të lejohet që qytetari ynë t’i blejë vezët me 42 %?”, ka thënë më tutje Hajdari.

Një javë më parë, Ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari paralajmëroi masa direkte kundër shtrenjtimit të produkteve bazë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit ka prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve.

Ajo tha se qytetarët duhet të mbrohen nga ndikimi i inflacionit dhe kriza ekonomike./Shqip.com