Lajme

Hajdari: Deri në fund të vitit do të rishikojmë 20 ligje

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se deri në fund të vitit do të finalizojë njëzetë plotësim-ndryshime të ligjeve që prekin këtë dikaster, transmeton Shqip.com.

Ndër më të rëndësishmit pritet të jetë projektligji për investime strategjike, projektligji për zonat ekonomike, konkurrencën, turizmin dhe projektligji për inspektoratin.

Hajdari thotë se do të rishikojnë gjithçka, pasi dëshirojnë qasje gjithëpërfshirëse dhe jo favorizuese.

“Është me rëndësi të lartë t’i promovojmë ato mundësi industriale edhe për eksport dhe për të përmirësuar programin tregtar. Kemi edhe shumë programe të tjera, sidomos në rishikim të ligjeve të cilat janë afërsisht 20 që po i rishikojmë këtë vit”, ka thënë ajo për KP.

“Kemi finalizuar për tregtinë e jashtme, ligjin për metalet e çmuara janë në parlament. Ligji tani për konkurrencën tani do të paraqitet në qeveri, ligji për turizmin, por edhe ligjet për brendësinë industriale që janë gjithsej 5 ligje. Ligji për inspektoratin që është finalizu, aty do të jetë një koordinim i gjithmbarshëm në nivel vendi për inspektoratin”.

“Këto janë disa nga ligjet, kemi edhe disa ligje të tjera që janë në rishikim, si ai për investime strategjike, ligji për investimet e huaja, ligji për zonat ekonomike. E gjithë kjo për sjell sa më shumë investime në Kosovë, por me barazi dhe gjithëpërfshirje, jo me favore dhe devijime siç kanë qenë ligjet në të kaluarën. Ne do rishikojmë gjithçka, pasi ne dëshirojmë të kemi qasje gjithëpërfshirëse sa i përket trajtimit të investimeve, e jo qasje favorizuese, disa po e të tjerë jo”, thotë ajo.

Krahas këtyre, ministrja Hajdari bënë të ditur se javën e ardhshme do të dërgojnë në Qeveri për miratim projektligjin për turizëm. I njëjti, sipas saj, është shumë i rëndësishëm për vendin.

“Në fushën e turizmit çka e kemi në plan është e para strategjia që është në finalizim, është ligji që veçse është finalizuar dhe do të paraqitet në Qeveri në mbledhjen e radhës po shpresoj, pasi janë edhe disa gjëra që do të analizohen dhe e treta është brendimi i Kosovës. Pasi ne sëbashku me partnerët ndërkombëtar dhe unionin e turizmit jemi duke munduar sa më shumë të punojmë këtë vit për të finalizuar dokumentin për brendimin e Kosovës, pasi kemi shumë çfarë të paraqitim në fushën e kulturës dhe trashëgimisë”, shton Hajdari. /Shqip.com