Gucati e akuzon Gjykatën Speciale për bashkëpunim me autoritetet serbe

“Bashkëpunim i Gjykatës Speciale me autoritetet serbe”, kështu Hysni Gucati e ka cilësuar rrjedhjen e dokumenteve misterioze që qarkulluan në zyrat e Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtatorin e vitit të kaluar.
Thotë se nuk e kanë lexuar asnjë nga emrat apo deklaratat e dëshmitarëve – pasi sipas tij të interesuar nuk ishin.
Kjo është dita e dytë e dëshmisë së Gucatit, transmeton Shqip.com.
“Kjo është një befasi dhe është keqardhje për ne kur një gjykatë e Kosovës, këtë gjykatë e ka votuar parlamenti, dhe kjo gjykatë bashkëpunon me kriminelët serb, është një befasi dhe keqardhje shumë”, pohoi Gucati.

“Kam parë deklarata të dëshmitarëve serbë, kam parë që keni marrë udhëzime nga Drecuni, nga Vukçeviqi, këto kanë qenë deklaratat e tyre të prokurorëve serb që keni marrë ju, kështu kanë qenë, dhe kanë qenë disa takime që ish-prokurori i Gjykatës Speciale që kanë pasur takim me prokurorët serbë, kështu kanë qenë disa deklarata të tyre, këto i kam parë Adem Jasharin që e kam parë aty një deklaratë më ka befasuar. Kam parë këso deklarata, nuk më kanë interesuar shumë deklaratat, e kam ditë që ata dëshmitarët 99% janë që kanë gënjyer”, ka thënë Gucati.
Gucati ka thënë se nuk i ka lexuar deklaratat dhe as emrat e dëshmitarëve.
“Nuk më intereson puna e tyre, po të më kish interesuar tash do të kisha kërkuar seancë private dhe do të u kisha thënë me emër e mbiemër, por të jeni të bindur se përjashtim X po Y, Muharrem Ibren që është me emër aty e njeh krejt populli se nuk po di qysh t’ia ngjes një pseudonim, të tjerë nuk di po them sinqerisht, po të di diçka do të kisha kërkuar seancë private dhe do të kisha folur haptas”, pohoi Gucati.
Gucati bashkë me Nasim Haradinajn ishin arrestuar nga forcat e EULEX-it me urdhër të Dhomave të Specializuara.
Akuzohen për ndërhyrje në drejtësi dhe frikësim të dëshmitarëve. /Shqip.com