Lajme

Grupi “Asnji cent më shumë” do të protestojë prapë kundër shtrenjtimit të rrymës

Protesta “Asnji cent më shumë” kundër shtrenjtimit të rrymës

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent ma shumë” do të protestojë sërish kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Protesta do të mbahet më 22 shkurt, nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Grupi protestues përmes një komunikate për media, ka ftuar qytetarët që të bashkohen në protestën e të martës, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të faturave të rrymës.

“Nga 9 shkurti 2022, me vendimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës, çmimi i rrymës është shumëfishuar. Nëse një ekonomi familjare ka shpenzuar mbi 800 kWh rrymë, çmimi i energjisë elektrike do t’i rritet nga 40% deri në 130%”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Një pjesë të kësaj rritjeje ne do e paguajmë direkt përmes faturës së rregullt e pjesën tjetër do e paguajmë përmes parasë tonë publike. Kjo pasi që Qeveria ka vendosur që 90 milionë euro tonat t’i shkojnë KEDS-it përmes subvencionimit. Në të gjitha format, ne po paguajmë që KEDS e KESCO të vazhdojnë ta rrisin fitimin edhe në kohë krize”.

Sipas organizatorëve të protestës, vendimi “i shkon për shtat veç sektorit privat, i cili vazhdon të pasurohet, pavarësisht krizave”.

Dy kërkesat e tyre kryesore janë: Anulimi i vendimit të ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe nacionalizimi i KEDS-it.

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent ma shumë” ka protestuar edhe me 26 janar 2022, për të kundërshtuar propozimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Sipas policisë, pjesëmarrës ishin 200 protestues./SHQIP.com