Grenell zbulon qëllimin e Thaçit për zhbërje të speciales

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pranoi ndarjen e Kosovës, me kusht mbylljen e gjykatës speciale, ka shkruar Grenell në Twitter! Një deklaratë e tillë nga Josep Borell, shef i politikës së Jashtme të BE-së, ka nxitur shumë reagime.
Kur ishte publikuar lajmi për deklaratën e Borellit, ku lavdërohej se ishte BE-ja, përkatësisht EULEX-i, që e kishte arrestuar Thaçin, në detyrën e tij si president, Vlora Çitaku kishte deklaruar: “Thaçi nuk është arrestuar, por është dorëzuar”!
“Ne po formojmë ata që i quajmë mekanizma të veçantë për zgjidhjet e post-konflikteve. Këtu dua ta përmend Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, në të cilat ish-presidenti i Kosovës është tani duke pritur për gjykimin. Misioni ynë i policisë në Kosovë ishte i ngarkuar për ta arrestuar atë derisa ishte në detyrë dhe për ta dërguar (në Hagë në Holandë, ai ka thënë gabimisht në Amsterdam) për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, në fjalimin e tij në Forumin për të Drejtat e Njeriut në Bruksel.
Por, ajo që më në fund e vërteton këtë, është deklarata e bërë nga Richard Grenell, ish i dërguari i presidentit Tramp për dialogun Kosovë-Serbi.
Grenell me këtë rast nuk e ka përmendur, opsionin e ndarjes së Kosovës, por kjo çështje ishte promovuar në vazhdimësi, me vite nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, deri në javët e fundit të qëndrimit të tij në atë post, kur u detyrua për shkak të arrestimit, të nënshkruajë aktin formal të dorëheqjes! Vetëm pak minuta më vonë, ai dha një konferencë shtypi, para se të prangosje, për t’u dërguar në Hagë, më 5 nëntor 2020.
Grenelli mundohet ta shfrytëzojë deklaratën e Borellit për të goditur vendimin e Jack Smith, ish-kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, i cili po e heton veprimtarinë e Trampit, dhe dyshimet, që e lidhin atë me Rusinë.
“Ne kemi themeluar një mekanizëm special për zgjidhjet pas konflikteve. Dua të përmendi Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti i Kosovës tash është në Amsterdam dhe po pret të gjykohet. E misioni ynë i Policisë në Kosovë ishte në detyrë për arrestimin e tij. E arrestoi sa ishte ende president dhe e dërgoi në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë Borrell.

Sipas Grenellit, është skandal që prokurori Smith e arrestoi Thaçin, sipas tij, pasi Thaçi po negocionte për një “marrëveshje të madhe”, e cila do të kishte efekt edhe ndaj gjykatës speciale, pra do të shuhej ajo.
“Veprimet e Jack Smith, për të paditur dhe burgosur me një akuzë 20-vjeçare, thjesht sepse Presidenti Thaçi po negocionte një marrëveshje të madhe që do t’i jepte fund punës së qetë të Jack-it është një skandal. Ju nuk mund ta quani veten gazetar dhe të injoroni sjelljen imorale të Jack për përfitime personale”, ka shkruar Grenell.

Ish-ambasadori i deleguar i Trampit në Berlin, Grenell, i njohur për miqësinë e tij të deklaruar me serbët, e quan prokurorin Smith të ndikuar politikisht, sepse sipas tij, ai e paditi Thaçin, në mënyrë që ta ndalonte mbylljen e gjykatës speciale.
“Jack Smith – djaloshi i emëruar Biden për të ndjekur penalisht Trump. Jack Smith veproi për të paditur Thaçin vetëm pasi ai u informua nga DD-ja e SHBA-së se unë negociova një marrëveshje për t’i dhënë fund Tribunalit të zgjatur 20-vjeçar”, shkruan Grenell.
Gjithashtu, Grenell tha se udhëheqësit evropianë ishin të etur që ta ndalnin ish-presidentin Donalt Trump të merrte një mandat të dytë dhe vepruan politikisht edhe në arrestimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Udhëheqësit evropianë duhet të përballen me realitetin – ata ishin shumë të etur për të ndaluar Trump, kështu që e lanë Hagën të shkojë politikisht”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Ndryshe, kujtojmë se ish-Prokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, ishte bërë i njohur me aktakuzat e tij kundër ish-krerëve të UÇK-së, që tashmë gjenden në burgun e Hagës.
Ishte pikërisht Smith, që e ktheu ish-presidentin Hashim Thaçi nga aeroplani, i cili ishte duke fluturuar në drejtim të SHBA-së për t’u takuar me presidentin e asaj kohe Dondald Trump.
Në atë kohë, Trump, pati sponsorizuar një marrëveshje Kosovë-Serbi dhe kishte planifikuar pritje për presidentët e të dyja vendeve – Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin.
Por, gjithçka mori fund kur Hashim Thaçi është kthyer nga aeroplani që fluturonte në drejtim të SHBA-së në Kosovë, për të treguar lajmin se tashmë do të shkojë në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.
/Shqip.com