Grenell përkrah protestën kundër shtrenjtimit të energjisë: Kurti refuzoi gazsjellësin amerikan

Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka përkrahur protestën e Partisë Socialdemokrate kundër shtrenjtimit të energjisë, transmeton Shqip.com.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti, kanë refuzuar gazjellësin amerikan, që sipas tij do të ulte çmimet e energjisë.
“Qeveria aktuale e Kosovës e Albin Kurtit ka refuzuar ndihmën e SHBA-së për të krijuar gaz të pastër për njerëzit – gjë që gjithashtu do të ulte në mënyrë dramatike çmimet. Populli duhet të tërbohet”, shkroi ai.
The current Kosovo government of @albinkurti has rejected US help to establish clean gas for the people – which would also dramatically lower prices.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) January 29, 2022
The people should be mad. https://t.co/81PbGYoVlj
Ndryshe, pasditen e së shtunës është mbajtur në sheshet e Prishtinës protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.
Me pankartat ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Populli i bashkuar ka për të fituar”, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta trupore.
Ndërkaq, në një video të publikuar, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është parë teksa ka goditur me shuplakë një zyrtar policor.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.
Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.
Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com
Qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë./SHQIP.com