Lajme

Gjyqi për vulën, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij 1 orë protestë para Gjykatës së Lartë

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha mblodhi mbështetësit e tij në një protestë para Gjykatës së Lartë, pikërisht në momentin kur kjo gjykatë nisi shqyrtimin e çështjes së vulës dhe statutit të Partisë Demokratike.

Për rreth 60 minuta Berisha dhe simpatizantët kanë qëndruar në krah të “Parkut Rinia” dhe në hyrje të rrugës “Myslym Shyri” ku edhe është shkaktuar kaos me qarkullimin e automjeteve.

Pas protestës para Gjykatës së Lartë, protestuesit anë zhvendosur te selia e Partisë Socialiste.

Dhe pasi qëndruan për pak momente para selisë rozë, turma është zhvendosur për nga sheshi “Skënderbej”.

Destinacioni i fundit i këtij marshimi protestë ishte oborri i selisë së Partisë Demokratike.

Sot në betejën tonë pa kthim, kundër diktaturës, çelëm një faqe të re. Sot, ne nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës”, tha Berisha drejtuar mbështetësve.

Ish-kryeministri pranoi se protesta e tij para Gjykatës së Lartë ishte e pazakontë, por siç tha e diktuar nga qëndrimet e kësaj gjykate në shkelje me ligjin dhe Kushtetutën.

Kjo protestë, e para në historinë 32-vjeçare të pluralizmit, para gjykatës supreme, Gjykatës së Lartë, e cila ka shënuar me qëndrimet e saj, një tradhti të lartë kombëtare ndaj ligjit, Kushtetutës dhe pluralizmit, shënon vetëm fillimin e betejave tona. Sot, protesta jonë para selisë së partisë së krimit, shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila me të gjithë qëndrimet e saj, e udhëhequr nga Edi Rama është përgjegjëse për dramën e madhe të shqiptarëve. Edi Rama në krye të kësaj partie, kërkon të zhdukë PD-në, por ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb. Ne jemi të pamposhtur”, deklaroi më tej ai.

/Shqip.com