Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Salih Mustafës

Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Salih Mustafës, i cili akuzohet për krime lufte.
Masa e paraburgimit Mustafës i është vazhduar deri në muajin shtator.
Kjo është bërë e ditur në një vendim që është bërë publik një ditë më parë.
Në mesin e shumë arsyeve që janë përmendur për vazhdimin e paraburgimit ndaj Mustafës, është cekur edhe rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitarë dhe zhdukja e provave.
Kjo pavarësisht, se procesi ndaj tij tashmë mund të thuhet se është në fazën e fundit.

Gjykata ka caktuar datën 5 shtator 2022 si datë ku ZPS-ja mund të paraqes parashtresat për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit, ndërkaq për palën mbrojtëse ka caktuar datën 13 shtator.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./Shqip.com