Lajme

Gjykata merr vendim për të akuzuarin që kanosi me vrasje ambasadorin e ShBA-së në Kosovë

Seanca në Gjykatën Themelore, Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 muaj burgim Imer Gashin pasi ka pranuar se e ka kërcënuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ai përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.

E-maili në adresë të ambasadës ishte dërguar në qershor të këtij viti, ku sipas aktakuzës, Gashi kishte kërkuar nga ambasadori ndalimin e grupeve kriminale në Kosovë në të kundërtën do të ndodhte vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj Gashit është shpallur të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vesel Ismajli, pasi që i akuzuari deklaroi se pranon fajësinë për veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

I akuzuari Imer Gashi deklaroi se i kupton pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe se ndihet thellësisht i penduar.

“Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprën penale që e kam kryer, kërkoj falje publikisht në emër timin dhe të familjes”, tha i akuzuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, Imer Gashi ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.

Sipas aktakuzës, Gashi kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor./SHQIP.com