Lajme

Gjykata jep detaje për rastin e Vukotiqit që u dënuar me 10 vjet burg për dhunim në luftë

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

Në një komunikatë të dërguar për media thuhet së i akuzuari Z.V. është shpallur fajtor dhe dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vite, të cilin dënim do ta vuan në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I akuzuari, Vukotiqin si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj të viti 1999 gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
“Në atë mënyrë që me datën 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilatre serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari Z.V., kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre i kishin urdhëruar të ulen të tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet- shkop të drurit fillon ti rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.”, thuhet në njoftim
Më tej thuhet së ai në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqt i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për ti pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi tek e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marr me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përplasur të dëmtuarën për dysheme, me forcë ia kishte shqyer rrobat dhe kishte kryer aktin seksual – dhunimin.

“Me këto veprime i akuzuari në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe pjesëtar të tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë” është deklaruar në njoftim./SHQIP.com