GJKKO zhvillon sot seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj liderit të opozitës Sali Berisha

GJKKO do të zhvillojë sot prej orës 10.00 seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha, për caktimin e masës së sigurisë. Një ditë më parë avokatët e tij kërkuan nga trupi gjykues që të përjashtohet gjyqtarja Irena Gjoka nga shqyrtimi i çështjes. Kjo kërkesë u refuzua dhe avokatët braktisën seancën.
Në këto kushte GJKKO caktoi një avokat tjetër për Berishën, Artan Simonin.
Por gjatë ditës së djeshme pas ardhjes së Artan Simonit në GJKKO, u gjet një status i tij në rrjetet sociale ku bënte ironi me Sali Berishën. Simoni reagoi në Facebook kur u caktua masa “Detyrim paraqitje për Berishën ditën e shtunë.
Ai shkruante për ish-kryeministrin se “Bisha është plakur, bisha është lodhur”. Ky status është cilësuar si i papranueshëm dhe GJKKO vendosi ndërrimin e Simonit me një avokat tjetër, që do të ketë kohë deri sot në orën 10:00 të njihet me aktet.
Berisha vetë nuk ka qenë i pranishëm në këtë seancë dhe as në atë të zhvilluar ditën e djeshme.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani. Dyshohet se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi që të kishte pjesë në këto prona si një nga trashëgimtarët e një prej familjeve pronare të truallit. Berisha e ka quajtur këtë si një proces politik të iniciuar nga kryeministri Rama që po përdor prokurorët për të goditur kundërshtarët politikë.
Ditën e shtunë me urdhër të SPAK u arrestua dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, ndërsa për Berishën për momentin është caktuar masa me “Detyrim paraqitje”. Gjithashtu për atë është e ndaluar dalja jashtë shtetit deri në përfundim të hetimit.
Këto masa janë marrë nga gjyqtarja e çështjes Irena Gjoka, për të cilën Berisha pretendon se ka shkelur kushtetutën, për shkak se nuk ka kërkuar autorizim nga Parlamenti për caktimin e këtyre masave ndaj një deputeti.
/Shqip.com