Lajme

GJKKO shtyn sërish vendimin për Sali Berishën

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shtyu për të shtunën e datës 30 dhjetor ora 12:00’ seancën gjyqësore për të marrë vendim mbi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” me kontroll policor përgjatë 24-orëve në banesë.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance gjyqësore është fakti se kërkesa e avokatëve të ish Kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjezi, të cilët ende nuk e kanë depozituar kërkesën e artikuluar verbalisht të mërkurën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka njëanshmëri në vendimmarrje.

“Siç u njoftuam dje kërkesa për përjashtimin e gjyqtares, e artikuluar nga ne, ka një afat prej tre ditësh për depozitimin e saj shkresor. Ne kemi marrë një pjesë të provave në sekretari dhe për shkak se ne jemi ende brenda afatit gjyqësorë për depozitimin e kërkesë sonë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka, gjykata shtyu për të shtunën vendimin dhe të shohim nëse do të merret vendimi. Ne sot kemi marrë një pjesë të mirë të provave që do të shoqërojnë kërkesën tonë për përjashtimin e gjyqtares”, tha Gjokutaj.

“Ne mendojmë se provat mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Provat janë të tilla që faktojnë njëanshmërinë e vendimeve të gjyqtares. Unë do ta ruaj sekretin e gjykimit që po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe nuk mund t them më shumë se kaq”, tha Gjokutaj në një deklaratë për mediat në dalje të seancës gjyqësore të zhvilluar në GJKKO, e cila zgjati rreth 30 minuta.

Kërkesa përjashtimin e gjyqtares Gjoka do të jetë në duart e gjyqtares Rudina Palloja.

Më herët SPAK përmes dy prokurorëve, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai depozituan më 22-dhjetor pranë Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion kërkesën për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, i cili po hetohet për korrupsion pasiv në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Një ditë më parë Kraja kërkoi se që masa e sigurisë “Arrest Shtëpie” të shoqërohet edhe me praninë e punonjësve të Policisë përgjatë 24-orëve pranë banës së Berishës.

/Shqip.com