Gjini: Presidentja mbrohet me Kushtetutë e jo nga burri i saj dhe kanuni

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i ka reaguar Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes, Vjosa Osmani pasi ky i fundit ka thënë se po e mbron presidenten nga sulmet dhe lajmet e pavërteta që publikohen për të.
Sipas Gjinit, në momentin kur presidenten duhet ta mbrojë bashkëshorti, atëherë ai shtet quhet “shtet i dështuar”.
Më tej ai shton se Osmani mbrohet nga ligji dhe institucionet e shtetit dhe jo nga bashkëshorti dhe kanuni.
“Kosova nuk është shtet i dështuar, prandaj pretendimi se burri duhet ti dalë në mbrojtje gruas presidente, aq më tepër kur ai është diplomat, i qet fort hije të keqe shtetit. Presidenten e mbron ligji, kushtetuta dhe të gjitha institucionet e shtetit. Jo burri i vet. Jo kanuni”, ka shkruar Gjini në “Facebook”.

Prindon Sadriu, përmes një statusi sqarues ka thënë se kur njerëzit e zëmrës përballen me sulme të vazhdueshme, atëherë ai nuk mund të heshtë para padrejtësisë.
Madje, ai ka thënë se familja e tij kanë pranuar dhjetëra kërcënime duke përfshirë këtu edhe kërcënime me vdekje./Shqip.com