Gjashtë të lënduar nga aksidenti në Kroaci po trajtohen në spitalin e Slavonski Brodit

Gjashtë qytetarë të lënduar në aksidentin tragjik që ka ndodhur në Kroaci ende janë në trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përcjell Shqip.com.
Në aksidentit që ka ndodhur më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe dy shoferë.
Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit.
Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan shtatë qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë.
Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës u dëshiron shërim të plotë të lënduarve të hospitalizuar dhe i siguron se do të vazhdojë përkujdesin dhe angazhimin për ta”, thuhet më tej në njoftim./SHQIP.com
/Shqip.com