Gërvalla jep detaje për policët e rrëmbyer

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje se çfarë i kanë thënë tre policët e rrëmbyer shefit të Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jasharit.
“Sot, ambasadori Jashari, është takuar me tre oficerët, Beqir Sefa, Rifat Zeka, Shemë Mustafa, të cilët janë rrëmbyer në territorin e Kosovës më 14 qershor. Vizita është realizuar në Qendrë ne Paraburgimit në Kralevë, ku tre oficerët janë duke u mbajtur nga 16 qershor”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka thënë se, takimet janë mbajtur ndaras, pra me secilin nga 15 minuta. “Secili prej oficerëve ka përshkruar ngjarjen e rrëmbimit të tyre nga momenti i kapjes deri te dalja para prokurorit dhe gjykatësit në Gjykatën e Kralevës më 16 qershor”, ka thënë ajo.
“Ata kanë deklaruar si në vijim: Më 14 qershor 2023, rreth orës 12:30 duke ngrënë dreken, papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë të Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe me thes në kokë I kanë dërguar në veturat e tyre. Me rastin e sulmit ndaj tre policëve, zoti Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët kanë shkrepur armët në ajër sipas të gjitha gjasave, mendon ai, për të shkaktuar panik tek oficerët policorë dhe për të ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre”, ka thënë mes tjerash ajo.
Gërvalla tha se Kosova nuk ka angazhuar avokat për policët e rrëmbyer nga Serbia, pasi tha se kjo “nuk është çështje ligjore”, por “thjesht një çështje politike”.
Gërvalla tha se kanë pritur që tre policët patrollues të kufirit do të lirohen menjëherë, ndërsa tha se çështja e ilaçeve për ta është ngritur nga avokatja e tyre, e caktuar nga shteti serb.
“Çështja e ilaçeve është ngritur edhe nga avokatja të cilën e ka caktuar shteti serb. Ne nuk kemi caktuar deri tash avokat, për shkak se kjo nuk është një çështje legale që ne e kemi me Serbinë, nuk është çështje ligjore që mund të zgjidhet në rrafshin ligjor ku mund të ndihmojë avokati. Është thjesht një çështje politike”, tha Gërvalla në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo tha se me moslirimin e policëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po dëshiron t’i tregojë muskujt.
“Shpresat, pritjet tona kanë qenë që lirimi i tyre do të jetë i menjëhershëm, por sistemi autokrat i Vuçiqit si duket dëshiron ta shfrytëzojë edhe këtë rast për të treguar edhe pak muskuj”, tha Gërvalla.
Tutje, ajo është pyetur lidhur me masat ndëshkuese të BE-së dhe nëse Kosova ka marrë ndonjë shkresë zyrtare lidhur me këto masa.
Gërvalla ka thënë se deri tani s’kanë marrë asnjë letër, por thotë se ka informacione që mes shteteve anëtare të BE-së ka diskutime se cila do të duhej të ishte rruga e duhur, për masat e mundshme apo si do të dukeshin ato masa, por potencon se s’ka një qëndrim përfundimtar.
“Sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, s’kemi marrë asnjë letër asnjë dokument. E di që ka shumë gjëra për të cilat diskutohet. Ka diskutim mes partnerëve se cila është rruga e duhur, dhe kur do të duhej të merreshin masa, dhe se si do të mund të dukeshin ato masa, apo nëse nuk do të duhej. Nuk ka një qëndrim të të gjithë partnerëve se si do të duhej të trajtohej Kosova në këtë fazë”, ka thënë Gërvalla.
/Shqip.com