Lajme

Gërvalla: Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar” – kështu ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Sipas Gërvallës, Qeveria e Kosovës është e bindur se kjo çështje e demarkacionit do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Jemi të bindur se këtë çështje do ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme dhe kur rajoni të jetë më i qetë”, tha Gërvalla për gazetën malazeze “Vijesti”.

Kritika ka drejtuar ndaj komisionit të atëhershëm, për të cilin thotë se ka bërë shkelje të rënda.

“Raporti fillestar për punën e komisioneve të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione. Komisioni i ri, i cili më vonë u krijua nga Qeveria e Kosovës, pretendon se ka konstatuar shkelje të rënda në punën e komisionit të parë”, u shpreh ajo.

Ndër temat e shtjelluara është edhe lufta në Ukrainë, për të cilën, Gërvalal thotë se “nëse lufta në Ukrainë nuk përfundon shpejt, reflektimet e saj përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe paqen edhe në Ballkan, duke vënë në dukje “ambiciet e Serbisë për zgjerim”.

“Pra, vetëm të bashkuar nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe nën mbrojtjen e NATO-s, të gjithë do të jemi më të sigurt, do të kemi mundësinë të jemi më të zhvilluar dhe të ndajmë vlerat dhe interesat e përbashkëta”, tha më tej ajo.

E nismën për Ballkanin e Hapur, Gërvalla e sheh si aspiratë e Serbisë për dominim politik dhe ekonomik mbi vendet e rajonit.

“Çfarë flet Serbia për Ballkanin e Hapur kur nuk i hap kufijtë as për kufomat e njerëzve që vrau në luftën e përgjakshme në Kosovë 23 vjet më parë? Serbia duhet së pari të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, si hap i parë i vullnetit të mirë”.

Ajo shtoi se Kosova nuk do të jetë pjesë e asnjë nisme “ku nuk është e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të asaj nisme”.

“Për të mos thënë, nuk do të jetë pjesë e projekteve që synojnë sigurimin e dominimit serb dhe zëvendësimin e integrimit evropian apo të procesit të Berlinit. Pas rreshtimit të Serbisë me Rusinë pas pushtimit rus të Ukrainës, mendojmë se duhet të jetë e qartë për vendet që iu bashkuan projektit, se tashmë është një projekt i dështuar që për fat të mirë dështon që në fillim”, tha Gërvalla.

Demarkacioni

Më 21 mars të 2018-tës, Kuvendi i Kosovës miratoi demarkacionin me Malin e Zi.

Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje, atëkohë opozitë. Për shkak të hedhjes së gazit atë ditë, shumica e deputetëve të VV-së u përjashtuan nga seanca.

Procesi i miratimit të demarkacionit zgjati tri vjet dhe u paraprijë nga një debat i madh, protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, politikanë dhe ndërkombëtarë.

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015. Mirëpo deri te ratifikimi në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.

Në atë kohë, opozita kundërshtoi demarkacionin përmes protestave dhe gazit lotsjellës në Kuvend./Shqip.com