Gazetarja nga Ukraina: Mbi 25 gazetarë janë zhdukur në Mariupol dhe nuk dihet për fatin e tyre

Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase në Kosovë, ka bërë të ditur se 25 kolegë të saj janë të zhdukur në Mariupol dhe nuk dihet për fatin e tyre.
Makey ka thënë se rusët kanë vrarë, shantazhuar e kërcënuar gazetarë të shtetece të ndryshme që kanë shkuar për të raportuar në Ukrainë.
Gazetarja nga Ukraina është shprehur krenare që është gazetarja e parë ukrainase që ka ardhur nga Ukraina në Kosovë, duke thënë se qëndrimi i saj në Kosovë do të jetë mundësi e mirë për të krijuar raporte të reja me kolegët e saj gazetarë kosovarë, si dhe forcimin e raporteve mes dy vendeve.
“Sapo zbrita nga avioni, ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan. Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim, ndihet në zemrat e vendit tuaj. Jam mirënjohëse Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës në një moment të vështirë. Gjithashtu, falënderoj kolegët e mi gazetarë, kjo është e rëndësishme që bota të dëgjojë të vërtetën për Ukrainën”, ka thënë ajo.

Makey është gazetare nga Ukraina, është e para që ka mbërritur në Kosovë, në mbrëmjen e së dielës si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.
Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Makey është vendosur në Prishtinë.
Për javë të tëra, shumë institucione publike vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të pritur gazetarët nga Ukraina./Shqip.com