Sport Shqiptar

Gazeta më e madhe në zvicerane, “Blick”: Kritikat ndaj Xhakës janë populliste

Granit Xhaka vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Gazeta më e madhe zvicerane “Blick” i ka dalë në përkrahje Granit Xhakës pas një mori kritikash që mori nga mediet helvete.

Në një editorial të saj gazeta shprehet se futbollisti shqiptar meriton të mbetet kapiten i kombëtares.

Redaktori i futbollit në “Blick”, Christian Finkbeiner, kritikoi të gjithë ata që po sulmojnë Granit Xhakën.

“Mediet si ‘NZZ, ‘Weltwoche’ apo ‘SRF’ kërkojnë që t’i hiqet shiriti i kapiteni Granit Xhakës. Polemika në fjalë është populliste, sepse Xhaka është lideri natyral i kësaj skuadre”, shkroi ai.

Në editorialin e tij Finkbeiner e ka arsyetuar pjesërisht edhe festën e futbollistit shqiptar, qoftë edhe atë me fanellën me emrin Jashari.

“Duke parë historinë familjare të Xhakës, babai i tij ka qenë i burgosur dhe i torturuar në ish-Jugosllavi, si dhe duke parë provokimet e vazhdueshme nga pala serbe – pjesërisht është e arsyetueshme dhe e mirëkuptueshme” shkroi ai.

Sidoqoftë, edhe “Blick”, ashtu edhe si mediet tjera zvicerane, shprehet se megjithatë një festim i tillë nga Xhaka nuk duhej ndodhur, pavarësisht rrethanave – edhe pse nuk pajtohet se duhet shndërruar në një instrument të linçimit për mesfushorin 30-vjeç.

Lexo edhe:
Botërori, Xhaka e Shaqiri ose “tradhtarët” apo “heronjtë” tanë

“Ta veshësh fanellën me emrin Jashari është një provokim politik që nuk vend në fushën e blertë të futbollit”, shkruan “Blick”.

Gjithsesi, vlen të cekët që Xhaka me këmbëngulje ka arsyetuar që një gjest të tillë e ka bërë në përkrahje të bashkëlojtarit të tij, Ardon Jasharit – dhe assesi nuk ka dashur të përçojë mesazhe apo kauzë politike.

/Shqip.com