OP-ED Editoriale

Botërori, Xhaka e Shaqiri ose “tradhtarët” apo “heronjtë” tanë

Liman Gashi
Liman Gashi

Autori është gazetar shumëvjeçar i sportit dhe redaktor në SHQIP.com.

Publikuar:

Deri në Botërorin e vitit 2018, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, por edhe futbollistët tjerë shqiptarë që luanin për Zvicrën, jo që nuk e gëzonin simpatinë e shqiptarëve (së paku jo të një pjese të madhe të tyre), por kishte edhe raste që ata i quanin tradhtarë. “Arsyeja” ishte e thjeshtë, ata nuk po luanin për Kosovën, por kishin zgjedhur Zvicrën.  

Është e kuptueshme që për situata të tilla ka mendime nga më të ndryshmet. Për këtë temë është folur, shkruar e besa edhe manipuluar shumë. E drejta e lirisë së shprehjes ua ka mundësuar të shprehen atyre që kanë qenë në rrjedha të kësaj “çështjeje”, atyre që e përcjellin futbollin në vazhdimësi, atyre që thjesht kanë pasur dëshirë t’i shohin duke luajtur për Kosovën, e deri tek ata, të cilët e tëra që dinë për futboll është fakti se ekipet përbëhen nga 11 lojtarë në fushë.

  …

Dashuria, ose thënë minimalisht respekti i një tjetër pjese të madhe të shqiptarëve për Xhakën e Shaqirin ndryshoi radikalisht në Botërorin e vitit 2018, në Rusi.

Shorti i pati vendosur Zvicrën e Serbinë në të njëjtin grup. Fitore pati shënuar Zvicra (2:1), ndërsa autorë të golave ishin Xhaka e Shaqiri. Kjo ishte e mjaftueshme për t’i kënaqur zemrat e miliona shqiptarëve, por festimi i tyre duke bërë shqiponjën me duar, ishte “qershia mbi tortë”.

Që nga ajo ditë, Xhaka e Shaqiri, nga “tradhtarë” u shndërruan në “heronj”, për shumicën e shqiptarëve, natyrisht jo për të gjithë.

Në të njëjtën kohë, për fqinjët tanë veriorë u shndërruan në dy futbollistët më të urryer në botë. Kjo dashuri/urrejtje vazhdoi për katër vjet, herë me intensitet më të lartë, herë duke u harruar paksa, por gjithmonë me dy polet në “detyrë”.

Shqiptarët (edhe një pjesë e mirë e atyre që më herët nuk i donin) kënaqeshin me çdo paraqitje të mirë të tyre, ndërkohë që serbët (në veçanti mediat) nuk lëshonin asnjë mundësi për t’i etiketuar me epitete të ndryshme, me theks të veçantë duke i quajtur provokatorë.

                                     …

Për serbët, duket se “provokatori” më i madh është fati, ose, më saktë, mungesa e fatit. Shorti për ta nuk pati mëshirë as kur u caktuan grupet e Botërorit 2022, që po mbahet aktualisht në Katar.

Zvicra e Serbia sërish u vendosën në të njëjtin grup, në të cilin ishin edhe Brazili e Kameruni. Për fatin e keq të serbëve, ishte pikërisht ndeshja me Zvicrën ajo që do ta përcaktonte kombëtaren që do të kualifikohej në rrethin e ardhshëm të garave. Brazili dihej që do të shkojë tutje, pasi i kishte fituar dy ndeshjet e para,  Zvicra i kishte tri pikë (kishte fituar ndaj Kamerunit e ishte mposhtur nga Brazili), ndërsa Serbia e kishte vetëm një pikë (barazim me Kamerunin e humbje nga Brazili).

Ashtu siç pritej, ndeshja ishte “e nxehtë”, e temperaturën e rriti Shaqiri (minuta e 20-të) kur shënoi për epërsinë e Zvicrës për të qenë sërish në qendër të vëmendjes, ashtu siç ishte katër vjet më parë. Këtë herë nuk festoi si në Rusi, por sërish, bashkë me Xhakën, duke u afruar kokë më kokë e duke hapur duart, e bënë një shqiponjë “të improvizuar”.

Në fund, Zvicra fitoi me rezultat 3:2, por nuk kishte mundësi të mungonte as protagonizmi i Xhakës, dorën në zemër diçka e tillë iu imponua nga rivali. Graniti po e kryente me shumë sukses detyrën në aspektin sportiv, por rivali nuk e linte të qetë. Kapiteni kishte përgjigje edhe për këtë pjesë. Ai nuk u frikësua as kur në drejtim të tij u vërsulën futbollistët rivalë, e as kur nga tribunat vinin fyerjet e mijëra tifozëve rivalë. Graniti e pati përgjigjen për të gjithë. Në një moment, ai u drejtua nga bankina e serbëve dhe “u tregoi” organin gjenital, gjest ky që u komentua jashtëzakonisht shumë dhe nga kënde e mënyra të ndryshme, por tashmë me shumicën absolute të shqiptarëve në përkrahje të Xhakës e Shaqirit.

Zvicra e kaloi fazën e grupeve e më pas u eliminua nga Portugalia për t’i dhënë fund aventurës në Katari 2022.  

                                      ….

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri tashmë e kanë përfunduar Botërorin dhe do t’u kthehen obligimeve me skuadrat e tyre, Arsenal, përkatësisht Chikago Fire. Shaqiri (31 vjeçar) ka luajtur në skuadra të mëdha evropiane, Bayern Munich, Inter e Liverpool, madje e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, ndërsa Xhaka (30 vjeçar) te Borussia Monchengladbach e Arsenal. Me skuadrën angleze është duke shkëlqyer dhe aktualisht e kryeson renditjen në Ligën Premiere.

Nuk dihet nëse Shaqiri e Xhaka do të jenë pjesë e Botërorit të ardhshëm (fillimisht nuk dihet nëse Zvicra do të kualifikohet), pasi në vitin 2026, ata do të jenë 35, përkatësisht 34 vjeçar, por një gjë dihet sigurt. Në sytë e shqiptarëve, ata e kanë fituar Botërorin, madje jo një, por dy herë.    

/Shqip.com