Gashi: Qeveria ka thyer rekordet e importit nga Serbia në vlerë prej 370 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në përshkrimin e punës dyvjeçare të Qeverisë, tha se ky pushtet disa herë ka marr karton të kuq dhe është i dobët e fatkeqësi për vendin
Gashi ia kujtoi Kurtit premtimin e tij rreth reciprocitetit me Serbinë, gjersa ia faktoi se deri më tani kjo Qeveri ka thyer rekordet e importit nga Serbia në vlerën prej 370 milionë euro.
“4.7 miliard euro është deficiti tregtar. Tatimin në pronë e rritët për 100%, ndërsa inflacioni sipas Bankës Botërore është arritur në 20%, e për produkte esenciale është mbi 50%, e ju vazhdoni të qeverisni me britma pa asnjë plan e veprim përballë krizave që po i shtoni dhe i thelloni më tej”, tha Gashi.
Ai, tha se kjo Qeveri nuk i kishte dëgjuar as propozimet e LDK-së për tu përballur me krizën; pezullimin e akcizës në naftë, heqjen e TVSH-së në produkte bazike, për një periudhë të caktuar, si dhe rritjen e pagave në bazë të rritjes së normës së inflacionit.
Gashi, theksoi se në kohën e kësaj Qeverie kanë ikur 100 mijë qytetarë nga vendi.
Sa i përket fushës së energjisë, Gashi tha se kjo Qeveri, nga paaftësia e saj i ka dhënë qindra milion euro, ndërsa faturën e rrymës e ka shtrenjtuar dy herë; herën e parë 100%, ndërsa të dytën 15%, dhe shtoi se ende po vazhdon pagesa e faturave për serbët në veri të vendit.
Sipas tij, Qeveria ka projektuar investime të reja vetëm në tre komuna, të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet, dhe se i ka dënuar 18 komuna të tjera vetëm se nuk menaxhohen nga kjo parti.
Për temën e dialogut me Serbinë, Gashi thekson se Kurti i ka thyer të gjitha premtimet e veta, dhe po themelon “autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe”, me ç’rast, tha se kjo është shkelja dhe atentati më i rëndë që kryeministri ia ka bërë kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve të vendit.
/Shqip.com