Lajme

Fushë-Kosova gjobitet me 4 mijë € për kufizim të qasjes në dokumente publike

Mosdhënia e disa përgjigjeve i kushtoi plotë 14.000 euro. Komuna e Fushë Kosovës u gjobitë 4 herë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë këtij viti për kufizim të qasjes në dokumente publike.

E fundit i shkoi pas ankesës së asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Vlonjat Hasani, në vlerë 4 mijë euro.

“E kam bërë kërkesën për listën e të punësuarve në arsim, i kam kërkuar konkretisht edhe pikët e kandidatëve, sepse janë hedhë disa dyshime për keqpërdorim të punësimit në arsim. Kur heshtja ka vazhduar pas 7 ditësh, unë e kam dërguar ankesën tek Agjencia për Informim dhe Privatësi”, u shpreh Hasani.

AIP pastaj e ka obliguar Komunën të ofrojë këtë mundësi dhe kur kjo nuk e zbatoi atë, i dërgoi gjobë.

Institucionit që udhëhiqet nga Burim Berisha i kanë shkuar dy dënime në shkurt edhe nga asamblisti tjetër i LVV-së, Durim Hajra, të dyja nga 3 mijë euro. 4 mijë euro dalin nga buxheti i Fushë Kosovës edhe nga një gjobë e prillit, pasi si dha qasje në projektet për trajtimin e qenve endacak, Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Këto e bëjnë atë komunën me më së shumti ndëshkime për mohimin e dokumenteve publike. Derisa sipas Agjencisë gjobat të cilat janë shqiptuar nuk janë paguar ende.

Nga Komuna nuk kanë dashur të prononcohen e as të komentojnë asgjë për këtë çështje.

/Shqip.com