FSSHK paralajmëron grevë në të gjitha institucionet publike shëndetësore

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar ndërprerjen e punës në të gjitha institucionet publike shëndetësore pas 15 dhjetorit, nëse Ligji i pagave nuk procedohet, përcjell Shqip.com.
Përmes njoftimit, FSSHK ka bërë të ditur se deri më 15 dhjetor do të bisedojë me secilin anëtar të vetë dhe njëkohësisht pret reflektim nga Qeveria.
“FSSHK paralajmëron masa radikale sindikale, siç është ndërprerja e punës në të gjithë institucionet publike shëndetësore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Sipas njoftimit, Këshilli i FSSHK-së, ka kërkuar që të ketë rritje pagash për të punësuarit në sistemin shëndetësor në lartësi prej 50 për qind, pasi që nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014.
“Këshilli Drejtues i FSSHK unanimisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nëse Ligji i Pagave nuk kalon, të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor në lartësi prej 50% dhe kjo bazuar në faktin se nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014.
Këshilli Drejtues i FSSHK-së ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësor si pasojë e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetës, rritje kjo e cila do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendje, kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com