Sindikata e Shëndetësisë i jep ultimatum Qeverisë për rritje të shtesave deri më 13 shtator

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë i ka dhënë ultimatum Qeverisë deri më 13 shtator për zbatimin e ligjit anti-COVID-19, i cili parasheh shtesë prej 300 euro, deri në miratimin e ligjit të pagave, përcjell Shqip.com.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, ka thënë se Qeveria ka vendosur që të ndajë vetëm 10 për qind për punëtorët shëndetësorë në kohë pandemie.
Sipas tij, me këtë vendim nuk bëhet fjalë për rritje pagash, por ky është një manipulim i radhës nga Qeveria e Kosovës.
“Ky 10 % nuk ka qenë mirë i shpjeguar në opinion sepse këto janë shtesa mbi paga bazuar në ligjin anti-Covid dhe nuk flitet për rritje të pagave. Pra kjo nuk është rritje e pagave, por është manipulim i radhës i Qeverisë. Ai ka kërkuar që të zbatohet ligji anti-Cvoid i cili parasheh prej 300 euro shtesë deri në miratimin e ligjit të pagave. Ligji i pagave duhet të miratohet këtë vit në mënyrë që të startohet në vitin 2022”, ka thënë Syla për EO.
Tutje, Syla theksoi se situata është mjaft e rëndë nëpër klinika, madje mund të konsiderohet dramatike.
“Situata është shumë e rëndë, dramatike nëpër klinika. Pritet të rëndohet sepse kemi edhe gripin sezonal dhe na nuk mund të bëjmë greva”, shtoi ai.
Ai tha se këto dy ditë do të mblidhen me shoqatat sindikale që të diskutojnë për veprimet e mëtutjeshme.
Ndryshe, të martën, FSSHK ka kërkuar një takim urgjent me kryeministrin, presidenten dhe kryeparlamentarin lidhur me situatën e rënduar dhe shtesat e pagave për punonjësit shëndetësorë./Shqip.com