FSK-ja vizitohet nga pjesëmarrësit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj është vizituar nga pjesëmarrësit e seminarit të 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Kosovë.
Përmes një njoftimi për media nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se gjatë kësaj vizite u prezantuan të arriturat e FSK-së, sfidat dhe kërcënimet në rajon.
“Gjeneral Dreshaj me këtë rast prezantoi para të pranishmëve vizionin dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe u diskutua për sfidat dhe kërcënimet në rajon dhe më gjerë, gjithashtu të arriturat e FSK-së bazuar në planin 10 vjeçar të tranzicionit, krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes me mandatin e ri të FSK-së”, thuhet në njoftimin e MM-së.

Sipas MM-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s u njoftua për kapacitetet që ofron Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së.
“Ata po ashtu u njoftuan edhe me kapacitetet që ofron Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku shefi i shtabit nënkolonel Arsim Shaqiri, prezantoi misionin dhe strukturën, kurset dhe trajnimet, planet për të ardhmen, bashkëpunimin bilateral me vendet partnere që po ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të KDS-së. Të pranishmit patën mundësin të shohin edhe disa nga stërvitjet që janë duke u realizuar në KDS”.

Pjesëmarrësit e seminarit të 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s u priten nga Shefi i stafit të FSK-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj i shoqëruar nga zëvendës komandanti i KDS -së kolonel Mehmet Lladrofci.
Vlen të theksohet, se në këtë seminar ishte adresuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë adresim, Kurti kishte thënë se NATO-ja embron Kosovën por edhe Kosova e mbron NATO-n.
Kurti: NATO mbron Kosovën por edhe Kosova mbron NATO-n – SHQIP.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën por edhe Kosova e mbron NATO-n.
Tutje, Kurti tha se kjo mbrojtje e Kosovës ndaj NATO-s është pikërisht mbrojtja e historisë së suksesit të tyre.
“Ndonëse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, NATO është në Kosovë dhe jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit. Kosova është pjesë e rëndësishme e historisë së NATO-s Nuk jam pretencioz kur them se jo vetëm që NATO-ja e mbron Kosovën por edhe Kosova NATO-n, për shkak se ne si një vend i suksesshëm dhe mbrojmë këtë storie suksesi të intervenimit të NATO-s në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti: Njohja e ndërsjellë është në qendër të dialogut me Serbinë – SHQIP.com
Gjatë adresimit të tij, Kurti foli edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë duke potencuar njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve.
“Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe jo vetëm për të dialoguar por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që prej 18 gushti të këtij viti. Tema e parë në zyrën e Borrell ishte korniza e marrëveshjes. Pra, dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë kornizë të përgjithshme. Tani, njohja e ndërsjellë nuk është në fund por është në qendër të marrëveshjes, jo në fund të procesit. Unë nuk po them se nuk do të ketë tema të tjera, pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë”, tha Kurti.

Kurse lidhur me Manastirin e Deçanit, Kurti tha se ai është optimist se kjo çështje do të zgjidhet.
I pari i ekzekutivit tha se ka kërkuar që të dialogojë me autoritetet fetare të Manastirit të Deçanit por, këta të fundit nuk e kanë pranuar.
“Unë kam kërkuar që të takohem me ata por me refuzojnë. Ne besojmë që mund të përfshihemi në dialog dhe mund të zgjidhim të gjitha problematikat që i kemi. Ne duam ta ruajm dhe ta mbrojmë Manastirin e Deçanit e cila është trashëgimi kulturore e të gjithë qytetarëve”.
Krahas kësaj, Kurti foli edhe për situatën në veri të Kosovë ku tha se problem janë strukturat ilegale atje.
/Shqip.com