Forumi Ekonomik Botëror, liderët nga e gjithë bota takohen sot në Davos

Për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, liderët botërore do të takohen sërish në Davos.
Diskutimet sot janë të fokusuara në luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e tregtisë globale pas heqjes së kufizimeve në Kinë.
Pothuajse një vit pasi Rusia pushtoi Ukrainën, lufta ka qenë në fokusin e të gjithëve.
Një delegacion i madh ukrainas do të pritet në Davos, i kryesuar nga zonja e parë e vendit Olena Zelenska, e cila do të japë një mesazh të veçantë.
Edhe pse rusët do të mungojnë, ashtu si edhe miliarderi George Soros, i cili nuk do të organizojë darkën e tij tradicionale në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror do të marrë pjesë një delegacion i rëndësishëm nga Kina, raporton Abcnews.
Po ashtu në këtë forum pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me disa anëtar të kabinetit qeveritar.
“Vizitoni dhe investoni në Kosovë! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia shkojnë me njëra tjetrën”, ky pritet të jetë mesazhi i Kurtit në fjalën e tij.
/Shqip.com